Maqedoni, arrihet marrëveshja mes katër krerëve. Zgjedhje të parakohshme në prill të 2016-s

15/07/2015 00:00

Udhëheqësit e katër partive kryesore në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE-ja, Zoran Zaev nga LSDM-ja, Ali Ahmeti nga BDI-ja dhe Menduh Thaçi nga PDSH-ja, kanë arritur marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Lajmin e bëri të ditur Komisionari europian për Zgjerim Johaness Hahn, pas negociatave maratonike që zhvilloi në Shkup me liderët politikë.

“Mund t’ju njoftojë se kemi arritur marrëveshje që është firmosur nga liderët e katër partive më të mëdha dhe jam i kënaqur nga puna që kemi bërë. Mbetemi në marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe për përmbushjen e pikave nga raporti i PRIBE-së si dhe të rekomandimeve të tjera nga KE-ja. Kjo është një ditë e mrekullueshme për vendin tuaj që do të hap perspektivën tuaj për anëtarësim në NATO dhe BE”, është shprehur Hahn.

Në negociatat për zgjidhjen e krizës që u zhvilluan në Shkup kanë marrë pjesë edhe eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt. Ky i fundit, përmes një njoftimi ne profilin e tij ne Twitter ka njoftuar se është arritur marrëveshje për kthimin e opozitës maqedonase në Parlament, formimin e qeverisë së re kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Megjithëse detaje tjera nuk janë dhënë, jo zyrtarisht mësohet se marrëveshja e arritur mes katër liderëve politikë, parashikon dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski nga posti i tij në muajin janar të vitit 2016.

Sipas marrëveshjes, LSDM-ja opozitare në qeverinë kalimtare do të drejtojë Ministrinë e Brendshme dhe atë për Punë dhe Politikë Sociale, kurse në 5 ministri do të ketë zv/ministra me të drejtë të vetos.

Skandalin e përgjimeve do ta hetojë një prokuror special, të cilin do ta zgjedhin me konsensus katër partitë kryesore. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni pritet të mbahen në prill të vitit 2016.

Top Channel