F1, Horner konfirmon: Ferrari na bëri ofertë bashkëpunimi

14/07/2015 00:00

Mundësia për bashkëpunim mes Red Bull dhe Ferrarit nuk është një thashethem vere, por një propozim konkret. Ai që e ka deklaruar këtë është vetë drejtuesi i skuadrës austriake, Christian Horner.

“Padyshim, skuadra jonë ka një raport të hershëm me Ferrarin, kjo nëpërmjet Toro Rosso. Sergio Marchionne na ka bërë një ofertë të majme gjatë Çmimit të madh të Austrisë, por unë nuk dua të hyj në detaje”, tha Horner, duke shtuar se “për momentin jemi të përqendruar tek e tashmja”.

“Pak kohë më parë kemi firmosur me Renault dhe duam të jemi sërish kompetitivë. Në vitin 2017 gjërat mund të jenë krejtësisht ndryshe”, theksoi më tej drejtuesi i skuadrës austriake.

Mësohet se Presidenti i Ferrarit kishte pranuar se i ofroi Red Bullit motorë V6 të “Kokëkuqes” italiane gjatë një takimi me Helmut Markon, në Çmimin e Madh të Kanadasë. Ky propozim u përpilua më mirë, dy javë pas kësaj gare në Austri. Por, duke parë edhe kontratën që Red Bull ka me Renault deri në vitin 2016, për skuderinë austriake nuk ka rrugë tjetër, veçse të presë dhe të tregojë durim.

“Pritja për përmirësime në njësinë e fuqisë është më e gjatë se ajo për telajon e makinës”, ka thënë Horner. Ai e pranon që durimi nuk është karakteristikë e tyre. “Ne kërkojmë të bëjmë menjëherë paraqitjet më të mira, por kjo do të zgjasë për 2-3 muaj. Ajo që do të mësojmë do të na shërbejë edhe për vitin 2016”, ka përfunduar Horner.

Top Channel