Tsipras, “heroi” që kërkojnë ta kryqëzojnë. Riformatim i qeverisë ose zgjedhje të parakohshme

13/07/2015 00:00

Pasi i dha fund një beteje, për të cilën janë të shumtë ata që thonë se e humbi nën presionin e kreditorëve, kryeministri grek është kthyer në Athinë për të filluar një betejë tjetër, të cilën duhet ta fitojë nëse kërkon të mbetet në postin kryeministror dhe për shumë të tjerë të sigurojë stabilitetin.

Alexis Tsipras përballet tashmë me një pjesë të mirë të përkrahësve brenda gjirit të Radikalëve të Majtë, të cilët pasi janë zhgënjyer nga thyerja e tij përballë huadhënësve, tashmë do t’i sjellin pengesa serioze në votimin e ligjeve nga Parlamenti grek deri të mërkurën.

Kështu, ai pritet të reformatojë qeverinë, duke hequr disa nga ministrat që i dolën kundër dhe të krijojë një qeveri me bazë më të gjerë,ose të shkojë në zgjedhje të parakohshme në vjeshtë për të pastruar partinë e tij nga elementët marksistë me të cilët tashmë nuk mund të bashkëjetojë.

Në të kundërt opozitarët e Demokracisë së Re,Pasokut dhe të partisë Lumi janë ata që e kanë përkrahur faktin që Tsipras pranoi marrëveshjen me Eurozonën dhe nuk zgjodhi rrugën e daljes nga zona e euros.

“Është një lehtësim pas gjithë këtyre ditëve me ankth që kemi pasur. Tashmë kemi një marrëveshje. Populli grek do të qëndrojë në zonën e euros dhe në BE dhe kjo marrëveshje e siguroi këtë.  Pra, ne jemi të lumtur”, tha Adonis Georgiadis, deputet i partisë Demokracia e Re.

Ndërsa grekët e thjeshtë kanë fajësuar Berlinin që ka gjunjëzuar madje dhe turpëruar kryeministrin, duke e detyruar atë të nënshkruajë një marrëveshje përtej premtimeve të tij elektorale dhe përpjekjeve të gjashtë muajve të fundit.

“Kreditorëve nuk ja u ndjen për asgjë tjetër, përveç parave. Për shumë gjëra kanë të drejtë, pasi ne nuk jemi të besueshëm, por nga ana tjetër kur një fëmijë bën një sjellje të keqe duhet ta vrasësh?”, shprehet një qytetar grek.

“Ishte i pritshëm qëndrimi i Gjermanisë. Që nga koha e Bismarkut, Gjermania ka një qëllim, si të sundojë në Europë në një mënyrë apo në një tjetër. Këtë e kanë treguar edhe me dy luftërat botërore. Këtë e tregon tashmë edhe kjo luftë financiare kundër pjesës tjetër të Europës”, tha Dionisis Drebelas, mësues.

Në orët e ardhshme, Parlamenti grek pritet të aprovojë të paktën shtatë reforma të rëndësishme të paketës së masave, në mënyrë që të fillojnë procedurat për një kredi afatshkurtër, me të cilën Greqia do të shlyejë detyrimet me vlerë 12 miliardë euro brenda këtyre dy muajve.

Ndërkohë, bankat greke pritet të jenë edhe dy ditë të mbyllura dhe sapo ligjvënësit grekë të votojnë, BQE-ja do të ndezë dritën jeshile për likuiditet tek institucionet financiare greke.

Megjithatë, limiti i tërheqjeve ditore do të vazhdojë të jetë i ulët, ndërsa nuk dihet ende se edhe sa muaj nuk do të lejohen transfertat e parave në llogari bankare jashtë Greqisë.

Top Channel