Bregdeti shqiptar, më i preferuari për pushuesit nga Maqedonia

13/07/2015 00:00

Agjencitë turistike në Maqedoni  bëjnë të ditur se bregdeti shqiptar është më i preferuar për pushuesit nga Maqedonia.

“Riviera shqiptare është shumë e pasur, duke nisur nga Saranda e deri në Dhërmi, ku ka një kategori të caktuar të klasës më të lartë që preferon për të kaluar pushimet në këto pika turistike. Por nga ana tjetër, janë edhe Durrësi e Vlora, duke përfshirë edhe Shëngjinin, ku mund të kalosh pushime me çmime tejet të volitshme dhe të lira”, ka pohuar për mediat përfaqësuesja e agjencisë turistike “Babylon” nga Shkupi.
 
Ditëve të fundit është shtuar numri i turistëve nga Maqedonia, që udhëtonin drejt destinacioneve turistike shqiptare. Ata udhëtojnë ose me makinat e veta ose me autobusë të agjencive. Një biletë kthyese drejt Durrësit kushton prej 20 deri në 25 euro.
 
Ndërkohë, kësaj vere vërehet se një numër i madh i mediave maqedonase e favorizojnë bregdetin shqiptar. Afërsia, mundësia që të udhëtojnë me makinat familjare, siguria dhe kushtet e tjera janë përparësitë që e bëjnë bregdetin shqiptar më të pëlqyer për turistët nga Maqedonia.

Top Channel