Aksident me një të vdekur dhe dy të plagosur në aksin Fier-Levan

12/07/2015 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen e një 65-vjeçari dhe plagosjen e dy personave të tjerë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, në vendin e quajtur Liqeni, në aksin rrugor Fier-Levan.

Automjeti tip Polo me targa AA 638 CZ, ku udhëtonin 5 pjesëtarë të një familjeje, është përplasur me automjetin tip Porche me targa AA 2000 JU. Familjarët të cilët udhëtonin në automjetin tip Polo ishin krushq, ndërkohë që po ktheheshin nga dasma në drejtim të Vlorës.

Si pasojë, ka gjetur vdekjen babai i dhëndrit, Kujtim Guci (65 vjeç) dhe janë plagosur lehtë dhëndri dhe një tjetër pjesëtar i familjes.

Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Fierit, ku kanë marrë ndihmën mjekësore.

Ky është aksidenti i dytë në të njëjtin vend brenda një harku kohor prej 48 orësh.

Top Channel