Rindërtimi i Lagjes së Trimave, qeveria maqedonase nuk ka dhënë ende paratë

11/07/2015 00:00

Ndonëse ka miratuar vendimin për kompensimin e dëmit, qeveria e Maqedonisë ende nuk ka filluar të dëmshpërblejë banorët e Lagjies së Trimave për shtëpitë e shkatërruara gjatë aksionit policor, dy muaj më parë.

Derisa pastrimi i lagjes nga rrënojat po shkon drejt fundit, disa nga banorët me ndihmën e kompanive private kanë filluar punimet për ndërtimin e shtëpive, me shpresën se së shpejti do të marrin nga shteti dëmshpërblimin që u takon.

“Kompanitë që shesin materialin për ndërtim na kanë dhënë një afat për të paguar materialin që e kemi marrë për të filluar punimet. Presim nga qeveria paratë për të vazhduar punimet. I bëj thirrje qeverisë të lëshojë paratë sa më shpejt ashtu, siç na ka premtuar sepse dimri shumë shpejt vjen”, thotë Xhevrie Shabani, banore e Lagjes së Trimave.

“Nëse qeveria e kryen punën e saj dhe i lëshojnë mjetet në xhiro-llogaritë tona, atëherë ne nuk kemi çfarë presim. Ne presim që këtë dimër ta kalojmë në shtëpitë tona, pasi mendoj që deri në vjeshtë do të punojmë”, shton Shaban Jashari, banor i Lagjes së Trimave.

Koordinatori i shtabit emergjent, Shaban Demiri, pret që kompensimi i dëmit të fillojë brenda javës së ardhshme. Nëse dëmshpërblimi nuk vonon, ai shpreson që deri në fund të vitit banorët do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Qeveria nuk ka lëshuar ende paratë, por kam informacione se paratë do të fillojë të lëshohen në fundin e javës së ardhshme, ditën e enjte ose të premten dhe besoj që brenda tre javëve do të kryhet pagesa”, deklaron Demiri.

Për disa nga banorët vlerësimi i dëmit nga shteti nuk është real. Ata ankohen se dëmi që kanë pësuar shtëpitë e tyre është shumë me i madh nga sa është vlerësuar.

Gjatë luftimeve më 9 dhe 10 maj mes forcave maqedonase të sigurisë dhe pjesëtarëve të një grupi të armatosur, në Lagjen e Trimave, u dëmtuan 69 shtëpi, 16 prej të cilave u shkatërruan në masë të madhe.

Top Channel