Vuçiç: Sulmi në Srebrenicë, nga tifozë të ardhur nga Serbia

11/07/2015 00:00

Me t’u kthyer në Serbi, kryeministri Aleksandër Vuçiç thërriti një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë që kryeson dhe fill pas kësaj mbajti një konferencë për shtyp, ku shprehu keqardhjen për incidentin e ndodhur në Srebrenicë dhe këmbënguljen për të vazhduar politikën e paqes dhe fqinjësisë së mirë.

Sa i përket sulmit, kryeministri serb foli për një plan të organizuar mirë, sipas tij, nga persona që nuk kanë lidhje me viktimat e dy dekadave më parë,

“Ndodhi gjithçka sa hap e mbyll sytë. Nuk mund të parashikoja atë që ndodhi. Në një moment, pashë truprojet që mbanin çadrën hapur për të më mbrojtur nga sendet që vinin drejt nesh. U kërkova ta mbyllnin çadrën dhe të më linin të flisja me njerëzit…dhe ndodhi ajo që ndodhi”, deklaroi Vuçiç.

“Dora ime e miqësisë do të vazhdojë të jetë e shtrirë për popullin boshnjak dhe gjithë fqinjët tanë”, shtoi Vuçiç.

Ai ftoi serbët e Bosnjes, që pavarësisht kësaj, të mos shohin me dyshim fqinjët e tyre, duke u garantuar se mbështetja e Beogradit për ta do të jetë e pakursyer.

Ndërkohë, presidenti i serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik e cilësoi sulmin ndaj Vuçiç si sulm ndaj gjithë popullit serb.

Sa i përket autorëve, mediat boshnjake flasin për një person të ndaluar nga forcat e sigurisë. I ndaluari dyshohet se është personi që ka qëlluar me gurë në kokë Vuçiç, i cili si pasojë ka thyer edhe syzet.

Top Channel