Vendimi, mediet serbe, vrer ndaj CAS-it

10/07/2015 00:00

Ndërkohë që e gjithë shqiptaria gëzon për rikthimin e drejtësisë në vend, Federata Serbe e Futbollit dhe mediet e këtij vendi, kanë ‘vjellur’ vrer ndaj Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Federata e Futbollit e ka cilësuar “skandaloz dhe turp për drejtësinë botërore” vendimin e CAS-it, që i dha tri pikët në tavolinë kombëtares së Shqipërisë. Gjatë komunikatës për shtyp, federata serbe ka theksuar se pas marrjes se dokumentacionit, do të ankohet në Gjykatën Federale të Zvicrës.

Një reagim të ashpër kanë patur edhe mediet serbe. “Skandal: Gjykata i jep shqiptarëve tri pikë në Beograd”, është titulli kryesor i ‘Kurir’, në shkrimin e të cilit thuhet se “CAS dha një vendim krejtësisht politik”.

Ndërkohë e përditshmja tjetër serbe, ‘Telegraf’ përdor ironinë dhe e titullon kështu vendimin e KAS: “Droni i dytë i sjell 3 pikë Shqipërisë”.

Pakënaqësisë së serbëve i është bashkuar edhe trajneri i kombëtares daneze Morten Olsen, pasi vendimi i CAS ia vështirëson punën kësaj skuadre për t’u kualifikuar direkt në Francë 2016.

Më neutrale në koment është treguar B92, e cila në shkrimin me titull “Çështja Droni; Shqipëria merr 3 pikët, Serbia humb 3”, thotë se CAS-i fajësoi Serbinë për ndërprerjen e takimit dhe si rrjedhojë tri pikët shkojnë për “Shqiponjat”. 

“Jam shumë i habitur nga ky vendim, pasi në 2007 ne dolëm të humbur – ka deklaruar tekniku danez, i cili i referohet një rastit kur Danimarka u dënua pas një ndeshje me Suedinë – Nuk e kuptoj pse u dha kështu ky vendim, megjithatë ne duhet të shohim përpara. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mundim Shqipërinë dhe të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura në mënyrë që të shkojmë në Francë”, ka përfunduar Morten Olsen.

Top Channel