Vuçiç pranon ftesën e Ramës për të ndjekur Shqipëri-Serbi në Shkodër

10/07/2015 00:00

“Debati” mes Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramës, i ndezur në Twitter pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit të Lozanës, që i dha tri pikët Shqipërisë për incidentet e ndeshjes së 14 tetorit të shkuar në Beograd, është mbyllur me pranimin e ftesës prej kryeministri serb për të ndjekur ndeshjen e kthimit në shkallët e stadiumit ‘Loro Boriçi’, së bashku me homologun e tij shqiptar.

Vuçiç iu përgjigj pozitivisht përmes rrjeteve sociale ftesës së dërguar publikisht, po përmes tyre, nga ana e Ramës.

“Bukur thënë! Do të jetë kënaqësia ime”. Kjo ishte përgjigjia e kryeministrit serb ndaj një statusi të mëhershëm të Ramës, ku kryeministri shqiptar, pasi sqaron se ndeshja do të luhet në Shkodër, fton homologun serb të jetë i ftuari i tij i nderit.

“Ndeshja do të luhet në Shkodër, ku je i mirëpritur të jesh i ftuari im i nderit, që t’i duartrokasim së bashku ata që do të fitojnë”, postonte Rama.

‘Sfida’ në Twitter nisi me përshëndetjen e Ramës për vendimin e CAS-it. “Supeeeer! Ja ç’dmth drejtësi europiane! 3 pikë për Kombëtaren Kuqezi në Beograd!!!”, shkruante Rama.

Një orë më vonë ka thyer heshtjen kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç.

“Drejtësia europiane për të kushedisatën herë, u shndërrua në një padrejtësi botërore. Ata që e shkaktuan incidentin, u shpërblyen, kurse viktima u dënua. Vendimi i gjykatës në Lozanë është i turpshëm për drejtësinë dhe paraqit ofendim për të gjithë njerëzit normalë”, përgjigjiej Vuçiç.

Pak më vonë Vuçiç i shkruan sërish homologut shqiptar.

“Mos u shqetëso Edi Rama, ne do ta fitojmë ndeshjen, pa dron dhe pa asnjë ndihmë, në zemër të stadiumit të Tiranës, ose në Elbasan. Deri atëherë, kur ne do të takohemi përsëri”, shkruan ai.

Ajo që vihet re është se tonet e dy kryeministrave kanë qenë shumë më të qeta se në ditët që pasuan incidentin në stadiumin e Beogradit.

Ndeshja e kthimit, Shqipëri-Serbi do të luhet në datën 8 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, stadium që po i nënshtrohet rikonstruksionit me ritme të shpejta.

Top Channel