FSHF, Duka: Fitoi drejtësia dhe futbolli

10/07/2015 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një konferencë për shtyp pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që i dha 3 pikët Shqipërisë për ndeshjen ndaj Serbisë, tha se është i emocionuar për shkak se fitoi drejtësia dhe futbolli.

“Jam shumë i emocionuar, edhe pse e prisja këtë vendim. Fitoi e drejta dhe futbolli. Nuk dua të gjykoj për klasifikimin dhe nuk dua të diskutoj nëse do të shkojë apo jo Shqipëria në Europian. Rëndësi ka që drejtësia u vu në vend. Rëndësi ka që nuk bëhet fajtore Shqipëria për atë ndeshje”, tha Duka.

Në lidhje me renditjen e Shqipërisë pas këtij vendimi, që e sheh veten në vend të dytë me 10 pikë (aq sa Danimarka), Duka tha se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë: “Duhet të bëjmë maksimumin në 4 ndeshje, pasi janë ndeshje që mund t’i fitojmë të gjitha ose mund t’i humbim të gjitha”.

Kur u pyet në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit De Biasi, Duka u përgjigj: “Ka një kontratë deri në qershor, kemi kohë për të folur. Kemi shumë kohë pasi ne do të shkojmë në Francë dhe De Biasi do të jetë me ne atje”.

Ndërkohë, akovati përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtari i komitetit të FSHF-së, Artan Hajdari, ka shpjeguar shkurtimisht këtë vendim të zbardhur prej 74 faqesh: “Nuk u gjetëm në faj. Është gjetur përgjegjës arbitri për mënyrën e administrimit të lojës. Përsa i përket banerit, ne jemi gjetur fajtorë. Falenderoj studion ligjore zvicerane që udhëhoqi mbrojtjen e palës sonë”.

Top Channel