De Biasi për TCH: Ndeshja me Danimarkën, vendimtare

10/07/2015 00:00

Vendimi i Arbitrazhit Sportiv për t’i dhënë Shqipërisë tri pikë është pritur me entuziazëm nga skuadra kombëtare shqiptare. Trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi në një intervistë telefonike për Top Channel u shpreh se drejtësia u vu në vend, pas asaj që ndodhi në Beograd vitin e kaluar.

“Vendimi i CAS erdhi nga një analizë e thellë 360 gradë i të gjitha fakteve, u mor shumë kohë për të marrë një vendim të tillë, por drejtësia u vu në vend, se kur një ndeshje ndërpritet prej tifozëve, e vetmja gjë që mbetet është se skuadra që pëson dhunë duhet të fitojë ndeshjen”, tha De Biasi.

Përsa i përket situatës në grup dhe objektivave të skuadrës, De Biasi qëndron me këmbë në tokë, duke theksuar se ndeshjet e radhës, sidomos ajo e shtatorit kundër Danimarkës, do të jetë vendimtare për kualifikimin direkt të Shqipërisë në Europianin e vitit të ardhshëm.

“Situata ndryshon sepse ky vendim na jep më shumë besim për të luftuar për një kualifikim direkt, por gjithçka do të varet nga ndeshjet e radhës, e sidomos nga ajo e shtatorit kundër Danimarkës, që do të jetë edhe ndeshja kyçe për ecurinë tonë. Unë mendoj se vendi i tretë nuk është arritur matematikisht, por na mungon pak. Ne duhet të përqendrohemi ndeshje pas ndeshje, siç kemi bërë deri tani, dhe të marrim maksimumin nga çdo ndeshje, siç është edhe mentaliteti im. Ju jap fjalën se do të japim 110% për të arritur objektivin tonë, por nëse do t’ia dalim apo jo, varet edhe nga kudnërshtarët tanë”, deklaroi De Biasi.

Top Channel