Mediat serbe, për vendimin e CAS: Skandal! E pabesueshme!

10/07/2015 00:00

Mediat serbe e kanë pasqyruar lajmin për vendimin e CAS për t’i dhënë Shqipërisë tri pikë, pas incidenteve në stadiumin e Beogradit, në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

“Skandal: Gjykata u jep shqiptarëve tre pikë për ndeshjen në Beograd”, ky është titulli i të përditshmes serbe “Kurir”. Gazeta vijon më tej të shkruajë se kjo është dita kur jo vetëm serbët, po gjithë futbolli botëror mori një shuplakë.

“Ky ishte një provokim i qartë”, shkruan “Kurir”, duke kujtuar se ndeshja e tetorit në Beograd u ndërpre për shkak të dronit që mbante flamurin e Shqipërisë së Madhe.

Duke cituar mediat daneze, gazeta serbe shkruan se, sipas CAS, droni nuk dëmtoi askënd, dhe se ishin tifozët në fushën e lojës që shkaktuan trazirat. “Kurir” nuk përjashton mundësinë që danezët të kenë ushtruar presion mbi CAS.

Ndërkohë, “Blic” me shkronja kapitale shkruan: “E pabesueshme. Gjykata e Luzanës i dhuron fitoren Shqipërisë, Rama feston ‘drejtësinë’”.  Ndërsa, vijon njoftimi për vendimin e CAS, duke cituar mediat daneze, por duke pasqyruar edhe statusin e kryeministrit Rama.

Me fjalët e kreut të qeverisë hapet edhe shkrimi në sajtin e “B92”, duke cituar Ramën që ka shkruar se “drejtësia u vendos”. Në titullin e kësaj media thuhet: “Çështja e ‘dronit’: Shqipëria merr tre pikë”.

FOTO GALERI
1/4
Lajmi i publikuar nga `Kurir`

Top Channel