Gara e Kampionëve, Vettel do të jetë në Londër. Gjen Coulthard, por jo Schumin

09/07/2015 00:00

Sebastian Vettel do të marrë pjesë në Garën e Kampionëve, që këtë vit do të zhvillohet në stadiumin olimpik të Londrës më 20-21 nëntor. Lajmi konfirmohet nga organizatorët e kësaj shfaqjeje.

Së bashku me pilotin gjerman të Ferrarit kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre edhe Tom Kristensen, i cili mban rekordin e fitoreve të garave të Le Mansit (9 fitore), kampioni i botës i një tjetër garimi “Rally Cross”, Petter Solberg, si dhe kampioni aktual i këtij eventi, David Coulthard, ish-pilot i Formula 1 me skuderitë Ëilliams, McLaren dhe Red Bull.

Vettel ka debutuar në këtë manifestim në vitin 2007, së bashku me legjendën e Formula 1, Michael Schumacher, i cili fitoi të parin trofe të garimit mes kampionëve të kategorive të ndryshme të automobilizmit. Të dy ata kanë qenë pjesëmarrës edhe 5 herë të tjera, përfshi garat në Pekin, Dyseldorf dhe Bangkok.

“Jam i lumtur që do të kthehem në Garën e Kampionëve – ka thënë 4 herë kampioni i botës në Formula 1. – Do të jetë entuziazmuese të garosh në stadiumin, ku janë zhvilluar Lojërat Olimpike të 2012-s. Sigurisht që do të më mungojë Michael, si shok skuadre, por do të bëj gjithçka për ta rikthyer trofeun në Gjermani, madje pse jo të fitoj edhe titullin tim të parë individual, i cili më ende më mungon”.

Top Channel