Lideri i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, i ka shpallur të pasuksesshme bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Për dështimin e negociatave Zaev e fajësoi kryeministrin Nikolla Gruevski, për të cilin tha se nuk ka gatishmëri për të punuar për demokratizimin e vendit.

“Nikolla Gruevski në vazhdimësi ka minuar marrëveshjen e arritur më 2 qershor. Gjatë bisedimeve, Gruevski nuk pranoi që pushteti dhe opozita të ndajnë përgjegjësitë dhe garancat për kthimin e demokracisë në institucione, për normalizimin e shtetit dhe për sigurimin e kushteve për zgjedhje korrekte. Meqë nuk është arritur pajtim për vlerat elementare demokratike, që sigurojnë realizimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, bisedimet janë të pasuksesshme”, është shprehur Zaev.

Pas dështimit të bisedimeve, Zaev tha se në Maqedoni është e pamundur të organizohen zgjedhje korrekte dhe demokratike me një qeveri që drejtohet nga kryeministri Gruevski.

Lideri opozitar bëri të ditur se pas tërheqjes nga negociatat, do të vazhdojë me publikimin e ‘bombave’, siç i quan ai, bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritar, që zbulojnë përfshirjen e tyre në skandale të ndryshme.

Megjithatë, lideri social-demokrat, la të hapur mundësinë për kthimin e tij në bisedime, por vetëm në rast se bashkësia ndërkombëtare del me ndonjë propozim konkret për tejkalimin e krizës.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare del me ndonjë propozim konkret që përmbush kushtet tona për ndarjen e përgjegjësive mes pushtetit, kthimin e demokracisë në institucione, normalizimin e vendit dhe krijon kushte për zgjedhje demokratike, besoj se ia vlen të bisedohet”, deklaroi Zaev.

Menjëherë pas këtyre deklaratave të liderit opozitar, ka reaguar partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, e cila vlerëson se me largimin e tij nga negociatat, Zaev tregon se frikësohet nga pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme, për shkak se nuk gëzon mbështetje tek qytetarët.

Top Channel