Formula 1 në Meksikë, Jean Todt inspekton pistën

08/07/2015 00:00

Reduktimi i kostove dhe rënia e audiencës në Formula 1 janë problemet, me të cilat po përballet Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit.

Problemet janë pranuar edhe nga Presidenti i saj, Jean Todt, i cili gjatë inspektimit të pistës së garës në Meksikë deklaroi se, po kërkohen zgjidhje për këto dy probleme. “Duam të tregojmë se si mund të bëjmë një Formula 1 më spektakolare dhe se si të reduktojmë kostot në vitet e ardhshme”, tha Todt, në një konferencë për shtyp.

Më pas, Presidenti i FIA-s e ktheu vëmendjen plotësisht te Çmimi i Madh i Meksikës, që kthehet në kalendarin e Formula 1 pas një mungese prej 23 vitesh. Herën e fundit, që u zhvillua një garë në këtë shtet ishte në vitin 1992, kur triumfoi Nigel Mansell. Që në atë kohë, në pistën meksikane u bënë ndryshime të shumta, sidomos në asfaltin e saj. “Puna e bërë për të rikonstruktuar pistën e Meksikës është fantastike. Mezi po presim të zhvillojmë garën këtu në fund të vitit”, vijoi Todt.

Çmimi i Madh i Meksikës ishte menduar të bëhej pjesë e Formula 1 në vitin 2014, por atëherë organizatorët nuk i kishin përfunduar përgatitjet dhe, për këtë arsye, ai u përfshi në kalendarin e këtij viti. Gara do të zhvillohet më 1 nëntor në Meksiko Siti, menjëherë pas asaj në Ostin të Teksasit në SHBA.

Top Channel