Të dielën do të ketë marrëveshje? Tsipras: Do t’i japim fund njëherë e mirë çështjes sonë

08/07/2015 00:00

Pas zhvillimeve të orëve të fundit, kur partnerët i kanë dhënë Greqisë një ultimatum, që brenda dy ditësh të sjellë propozimet konkrete të një plani reformash në këmbim të ndihmës financiare, Athina zyrtare, që pranon se çastet janë tepër kritike, jep mesazhin se ky skenar është në dëshirën e të gjithëve që të shmanget.

Burime pranë qeverisë greke deklarojnë se, deri të dielën do të jetë arritur marrëveshja aq shumë e pritur, që do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen greke dhe krizën e borxhit, e cila – siç deklaroi edhe kryeministri Tsipras të martën nga Brukseli – nuk i përket vetëm Greqisë, por edhe Europës.

“Pala greke do të vazhdojë përpjekjet e saj, duke pasur armë të fuqishme vendimin e popullit grek, që ishte i qartë. Vullnetin e pjesës më të madhe, për një marrëveshje të qëndrueshme, që do t’i japë fund njëherë e mirë diskutimit për ‘Grexit’-in dhe do të na japë mundësinë e daljes përfundimisht nga kriza”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

Duke komentuar gjuhën e ashpër të disa udhëheqësve europianë dhe referimet e tyre për “Grexit”, pala greke ka sqaruar se, ata udhëheqës që përdorën këto argumente u janë drejtuar më shumë popujve të tyre dhe se, fryma e përgjithshme në samit, pavarësisht se pala greke nuk paraqiti propozimet e shumëpritura, ishte që të arrihej sa më shpejt marrëveshja.

Kjo edhe për faktin se, tashmë Athina nuk ka më kohë dhe se, ditët ikën shpejt, ndërsa sistemi i saj bankar është krejtësisht i bllokuar nga mungesa e likuiditetit. Pas fjalimit në Parlamentin Europian të kryeministrit Tsipras, pritet që Athina të paraqesë në mbrëmje kërkesën ndaj ESM-së, Mekanizmit Europian të Stabilitetit, për një paketë ndihme financiare dyvjeçare, në të cilën nuk duket se do të jetë pjesë FMN-ja.

Kërkesa do të shoqërohet nga një program me reforma dhe masa shtrënguese, e sipas gjasave do të përdoret plani i propozuar nga kreu i KE-së, Jean-Claude Juncker, që do të shqyrtohet në radhë të parë në një telekonferencë të Eurogrupit, e më pas te 3 institucionet huadhënësve; BE, BQE dhe FMN.

Por, ndërsa ky program kërkon shumë ditë që të miratohet, Athina do të dorëzojë një kërkesë edhe për një program afatshkurtër ndihme, pasi duhet të përballojë detyrime prej gati 8 miliardë eurosh vetëm brenda këtij muaji. Gjithsesi, shqetësimi në Athinë përshkallëzohet nga ora në orë dhe kjo pasqyrohet edhe në titujt e medieve greke.

“Kafe franceze për marrëveshjen. Po vjen paketa e tretë e ndihmës në mes të gushtit”, shkruan gazeta “Ta Nea”. “Marrëveshje, ose Grexit”, është titulli i gazetës “Ethnos”. Konservatorja “Eleftheros Tipos” thekson në faqen e parë alarmin e Greqisë: “Greqia SOS – Memorandum ndihme dhe Europë, apo dhrahmi dhe një Greqi e botës së tretë”.

“Euro apo dhrahmi ditën e diel”, shkruan edhe “Kathimerini”. “Betejë pesëditore për zgjidhje thelbësore”, është titulli i proqeveritares “Avgi”, ndërsa “Gazeta e Redaktorëve”, duke vendosur një fotografi të partnerëve europianë nga samiti i së martës, thekson: “Duan dorëzim pa kushte”.

Top Channel