Përfundon Samiti i liderëve të Eurozonës, të dielën vendimi final për Greqinë

07/07/2015 00:00

Në Bruksel përfundoi Samiti i jashtëzakonshëm me dyer të mbyllura i liderëve të Eurozonës, i cili do të pasohet më një tjetër të dielën, kur do të jetë edhe dita finale për Greqinë.

Kancelarja gjermane deklaroi se zgjidhja për Greqinë duhet të jetë afatgjatë. Deri të enjten qeveria e Athinës duhet të paraqesë propozimet e saj, ndërsa të dielën samiti do të jetë i një formati më të zgjeruar ku do të marrin pjesë krerët e 28 vendeve anëtare të BE-së.

“Sot patëm një diskutim të gjatë, intensiv dhe të sinqertë, i cili pasqyroi seriozitetin e situatës. Greqia do të paraqesë një kërkesë për ndihmë financiare shtesë bashkangjitur me listën e  propozimeve për reformat që do të ndjekë. Ky plan i ri do të jetë afatgjatë si edhe i detajuar. Megjithatë ne respektojmë rezultatin e referendumit të së dielës, por ka ende 18 shtete të tjera, sovraniteti i të cilëve duhet të merret  parasysh”, tha Merkel.

Për sa i përket mundësisë për një monedhë tjetër paralele në Greqi, Merkel u shpreh se ky nuk ishte fokusi i takimit të së martës, por kjo sipas saj është një çështje që i përket ministrave të Financave të Eurozonës. Ndërkohë Donald Tusk, si presidenti Këshillit Europoian, u shpreh se Tsipras ka pranuar në parim që të zbatojë rregulla të rrepta që do të vendosë blloku 28 vendesh.

“Të gjitha palët e negociatave ndajnë përgjegjësinë për këtë situate. Kjo është arsyeja pse sot u përpoqëm për të gjetur një konsensus, i cili do të jetë suksesi ynë i përbashkët, pa humbës  apo fitues. Sido që të jetë fundi i negociatave me të gjitha pasojat e mundshme, duke përfshirë edhe skenarin  më të keq, ku të gjithë ne do të humbasim, përgjegjësia bie prapë mbi ne. Paaftësia jonë për të gjetur një marrëveshje mund të çojë në falimentimin e Greqisë. Dhe me siguri, kjo do të jetë pjesa më e dhimbshme për popullin grek. Deri tani unë kam shmangur termat që përfshijnë afate kohore, por sonte unë duhet të them atë me zë të lartë dhe qartë – se afati i fundit është e diela e kësaj jave. Të gjithë ne jemi përgjegjës për krizën dhe të gjithë ne kemi një përgjegjësi për të zgjidhur atë”, u shpreh Tusk.

Ndërsa i fundit që foli në konferencë për shtyp pas Samitit me dyer të mbyllura ishte Jean-Claude Juncker, presidenti i Këshillit Europian, i cili tha se kriza e Greqisë afekton të gjithë Bashkimin Europian. Por Juncker shtoi se ata zotërojnë gjithashtu një skenar për një “Grexit” të mundshëm, madje të realizuar në detaje.

Mendohet se Greqia do të propozojë një plan financiar për të shpëtuar vendin nga falimentimi, i cili do të aprovohet vetëm nëse Tsipras do të pranojë kushtet e BE-së.

Propozimet do të shqyrtohen fillimisht nga Donald Tusk, Mario Draghi, Jean-Claude Juncker dhe kreu i Eurogrupit, për të marrë këndvështrimet e tyre, si disa nga njohësit më të afërt të çështjes greke.

Top Channel