Strategjia e Tsiprasit, ja pse nuk iu paraqit asnjë plan Eurogrupit

07/07/2015 00:00

Si një lëvizje diplomatike e studiuar mirë nga qeveria greke konsiderohet fakti që ministri i ri i Financave, Euclid Tsakalotos nuk u ka paraqitur asnjë propozim konkret homologëve të tij të Eurozonës në mbledhjen e Eurogrupit.

Siç bëjnë të ditur burimet qeveritare për Top Channel, që duan të mbeten anonimë, kjo lëvizje është bërë për disa arsye. Së pari për të shmangur një kundërshtim të mundshëm të ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble dhe ministrave të tjerë që e mbështesin dhe janë shprehur hapur për largimin e Greqisë nga Eurozona, ose për masa tepër të ashpra.

Në këtë mënyrë, pala greke nuk do të mbartë me vete disa orë më vonë në Samitin e lartë të liderëve të Eurozonës, komente dhe një frymë negative, ndoshta edhe hedhje poshtë të reformave të propozuara, siç kishte ndodhur në samitet e kaluara, që mund të shkatërronte pa filluar ende, shpjegimet përkatëse të kryeministrit Tsipras.

Së dyti, është menduar që të bëhet vetëm një prezantim i një kuadri të përgjithshëm të lëvizjeve të mëtejshme që do të bënte Athina, duke premtuar se reformat për të cilat është rënë dakord do të kryehen shumë shpejt, se Greqia kërkon patjetër të qëndrojë në Euro dhe ka dëshirë e vullnet për të rimëkëmbur ekonominë, mjafton t’i jepet një mundësi e fundit.

Së treti, është menduar që çdo gjë të zgjidhet në nivel të lartë në fillim në takimin mes Tsipras, Merkel, Holande dhe Junker dhe më pas në Samitin e liderëve të tjerë të Eurozones.

Të njëjta burime bëjnë me dije se Tsipras do të shpalosë gradualisht propozimin e tij, në fillim një plan të detajuar masash me shumicën e reformave të marra nga propozimi i Jean Junker, ditën që Greqia vendosi referendumin, dhe nëse përsëri do të ketë reagime negative atëherë do të adoptojë plotësisht planin e Junkerit.

Nëse edhe këto propozime do të kundërshtohen, atëherë plani i fundit i kryeministrit grek do të jetë që të kërkojë një marrëveshje “urë”, pra një financim të vogël të mundshëm për të mos falimentuar vendi në muajt e ardhshëm, në këmbim të disa reformave për të cilat edhe partnerët kanë rënë dakord.

Me pas duke shfaqur ecurinë pozitive të këtyre reformave, Greqia do kërkojë një program të ri finaciar. Gjithsesi janë të shumta ato burime që thonë se Greqia do të kërkojë orët e ardhshme një paketë të tretë ndihme nga Mekanizmi Mbështetës Europian.

Vetëm atëherë edhe BQE do të mund të furnizonte me para bankat greke. Në axhendën e kryeministrit grek në orët më të rëndësishme dhe kritike që po kalon vendi i tij është edhe fjalimi i nesërm para Parlametit Europian.

Top Channel