Turi i Francës, “autoblindi” Martin fiton etapën dhe rrëmben fanelën e verdhë

07/07/2015 00:00

Tony Martin është triumfuesi i etapës së katërt të Turit të Francës, nga Seraing drejt Cambrait e gjatë 223,5 kilometra, e cila është edhe më e gjata e këtij kompeticioni.

Kanë qenë plot 7 sektorë të mundshëm për të “shpërthyer” e për të tentuar shkëputjen, në total 13,3 km, por në një terren tepër të vështirë me gurë, të gjitha të grupuara në 46 kilometrat e fundit të kësaj etape.

Megjithatë, ai që rezultoi deciziv ishte sulmi i gjermanit Martin në pistë të asfaltuar kur kishin mbetur 3,3 km nga fundi i etapës, gjë që surprizoi edhe grupin e çiklistëve ku gjendeshin edhe Nibali, Froome dhe Contador. Në vend të dytë u rendit John Degenkolb dhe i treti Peter Sagan.

“Autoblindi”, ky është edhe pseudonimi i gjermanit Martin, ka fituar me biçikletën e Trentinit dhe jo të vetën në fakt, pasi kur kishin mbetur edhe 16 km nga fundi iu shpua goma dhe iu desh të këmbente biçikletën me shokun e skuadrës. E megjithatë ia doli mbanë të rikthehej sërish në grupin kryesues.

Ndërkohë, ditën e mërkurë do të zhvillohet edhe etapa e pestë. Nga Arras drejt Amiensit prej rreth 189,5 kilometrash, një etapë pa ndonjë vështirësi të madhe ngjitjeje, por me shumë alternime ngjitjesh e zbritjesh. Gjithçka fillon më 12:45 pas mesdite, teksa kjo etapë i bën homazh të rënëve të Luftës së Parë Botërore, pasi kalon pranë varrezave të Notre Dame de Lorette (km 14,5) dhe në përkujtimoren e Luftës së Madhe (km 99,5).

Top Channel