Athina konsiderohet si kryeqyteti i kundërshtarëve të sistemit, ose siç njihen rëndom; anarkistë. Para se të vinte në pushtet, Syriza e Aleksis Tsipras gëzonte një mbështetje të gjerë mes tyre, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Sa kanë ndryshuar gjërat këtë e tregon më mirë rezultati i referendumit të mbajtur ditën e diel në gjithë Greqinë, ku grekët në masë refuzuan masat shtrënguese të propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë.

Të gjithë e prisnin që në Kolonaki, njëra prej lagjeve më të pasura të Athinës, ku jetojnë avokatë, politikanë e sipërmarrës të fuqishëm, “Po”-ja do të triumfonte fuqishëm, dhe ashtu bëri, mori mbi 70 për qind të mbështetjes. Një rezultat i ngjashëm pritej edhe nga lagjet Pangrati dhe Kypseli, ku vota e Tsipras dhe e familjarëve të tij nuk mposhti votën pro të 53 për qind të banorëve.

Por ajo që nuk priste askush, e që ka vënë në lëvizje sociologët dhe gjithë hartuesit e sondazheve në Greqi, është lagjja Eksarkia. E njohur si “fortesë” e lëvizjes antisistem, ku policia nuk guxon të shkelë, përveç ndonjë aksioni tek-tuk të forcave speciale, këtu pritej një “Jo” e fortë. E kundërta ndodhi, “Po”-ja fitoi me 57 për qind.

Si ka mundësi ky rezultat në lagjen, ku përpara votimit të gjithë vinin dorën në zjarr për rezultatin? Shpjegimi i parë, ndoshta edhe më i thjeshti, është se anarkistët nuk votojnë. Këtë ua lënë të tjerëve ta bëjnë. Të tjerë e lidhin këtë votë me afërsinë me lagjen Kolonaki, ku periferitë e saj kanë pasur një trend mbështetës për reformat, ndërsa një tjetër arsye mendohet se është edhe zgjedhja e anarkistëve të zhgenjyer nga qeveria Tsipras, për ta ndëshkuar atë përmes votës “Po”.

Top Channel