Messi lë Argjentinën. Nënkampionët e botës, gati për “revolucion”

07/07/2015 00:00

Humbja ndaj Kilit në finalen e Kupës së Amerikës vazhdon të flitet në Argjentinë dhe në qendër të diskutimeve qëndron e ardhmja e sulmuesit Lionel Messi. Sipas “El Clarin”, futbollisti 28-vjeçar po mendon të tërhiqet përkohësisht nga kombëtarja argjentinase, një skenar ky që mund të provokojë “revolucion” te skuadra nënkampione e botës.

Gjithnjë sipas “El Clarin”, ky “revolucion” pritet të nisë nga Paulo Dibala, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që në këtë plan të ri të bardhekaltërve të përfshihet edhe Huan Manuel Iturbe. Lusiano Vietto e Nikolas Gaitan janë të tjerë emra që përmenden në median argjentinase, ndërkohë që Ikardi ende nuk po merret shumë në konsideratë nga stafi teknik i Argjentinës.

Tek Argjentina priten ndryshime edhe në repartet e tjerë. Kështu, për portën shfaqen emrat e Agustin Markezin dhe Xheronimo Ruji, ndërkohë që reparti i mbrojtjes pritet të ndërtohet rreth Funes Morit të River Plate. Në mesfushë emrat e preferuar duket se janë Federiko Mancuello, ndërsa shfaqen edhe emrat e futbollistëve të rinj, si Matias Kraneviter apo Angel e Hoakin Korrea.

Top Channel