Barcelona zyrtarizon Arda Turan, por deri në 20 korrik mund të kthehet te Atletiko

07/07/2015 00:00

Interesi i klubeve të tjera për turkun Arda Turan, ka detyruar Barcelonën të zyrtarizojë transferimin e tij edhe pse është pa president, pasi zgjedhjet do të zhvillohen më 18 korrik dhe vendimi është marrë nga Bordi Administrativ i përkohshëm.

Me anë të një deklarate, Barcelona bëri publik zyrtarizimin e transferimit të turkut për 34 milionë euro, plus 7 milionë nga bonuset, ndërsa lojtari do të ketë një kontratë 5-vjeçare.

Megjithatë në kontratën e nënshkruar ekziston një klauzolë e padëgjuar më parë. Lojtari mund të shitet sërish te Atletiko e Madridit deri në 20 korrik për 30 milionë euro, në rast se president i ri do të jetë Laporta dhe ai do të jetë klundër transferimit.

Bartomeu, e kishte bërë të qartë më parë se do ta transferonte mesfushorin turk në “Camp Nou”, nëse i fiton zgjedhjet, duke thënë se lojtarin e kishte kërkuar trajneri Luis Enrique me ngulm. Nëse gjithçka do të shkojë mirë në këtë transferim, 28-vjeçari turk do të presë janarin për të zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare me katalanasit, pasi klubi e ka të ndaluar të kryejë blerje deri atëherë.

Top Channel