Kreu i grupit të negociuesve grekë, Tsakalotos zëvendëson Varoufakis

06/07/2015 00:00

Euclid Tsakalotos është ministri i ri grek i Financave. Ai është kreu i grupit të negociuesve grekë dhe do të zëvendësojë në këtë post Yanis Varoufakis.

Lajmi bëhet i ditur nga televizioni grek Skai.tv. Tsakalotos ka lindur në Rotterdam në Holandë dhe ka një CV të pasur me studime në Britani.

Varoufakis dha dorëheqjen nga detyra si ministër i Financave, pas rezultatit të referendumit të së dielës, që refuzoi masat e kërkuara nga huadhënësit në këmbim të ndihmës ekonomike.

Më herët Angela Merkel, në një bisedë të gjatë telefonike mes Aleksis Tsipras mesditën e së hënës, kërkoi nga kryeministri grek të mbërrijë mbrëmjen e së martës në samitin e lartë të udhëheqësve të Eurozonës me një propozim të ri të marrëveshjes që kërkon të nënshkruajë me huadhënësit e Greqisë.

Tsipras duket se do të shfaqë para partnerëve propozimin e rinovuar të Jean-Claude Junker, pikërisht atë propozim që kreu i Komisionit Europian i kishte dhënë Athinës pasi është marrë vendimi për referendumin dhe që pala greke refuzoi.

Ky propozim i ri i Greqisë, të cilin më parë do e çojë në Samitin e Eurogrupit ministri i ri i Financave, Euclid Tsakalotos, ndahet në tri pjesë: reformat, borxhi dhe paketa financiare për zhvillimin e ekonomisë.

Top Channel