Red Bull-Mercedes, Lauda dhe Wolff kanë qëndrime të kundërta

06/07/2015 00:00

Red Bull dhe Mercedes kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave së fundmi, për shkak të mundësisë që kompania gjermane mund të furnizojë me motorë skuadrën austriake sezonin e ardhshëm.

Së fundmi u fol shumë për biosedime mes Red Bull dhe Aston Martin për një marrëveshje që parashikonte edhe furnizimin me motorët Mercedes të Red Bull, kjo për faktin se Mercedes zotëron 5% të aksioneve të Aston Martin.

Qëndrimet e drejtuesve të Mercedes ndaj këtij lajmi kanë qenë të ndryshme. Niki Lauda, në një intervistë për “Reuters”, e ka mohuar mundësinë e një bashkëpunimi me Red Bull. “Askush nuk ka ka pyetur për një mundësi të tillë, por edhe ne nuk e kemi menduar kurrë këtë opsion. Kjo është e gjitha”, ka thënë ai.

Shumë më i butë është në qëndrimin e tij Toto Wolff. Ai ka deklaruar se, në të ardhmen mund të ketë një bashkëpunim me Red Bull, por gjithçka do të varet nga vendimi që do të marrë Renault në lidhje me pjesëmarrjen e saj në Formula 1.

“Janë shumë aspekte që duhen marrë parasysh. Duhet të dimë se çfarë do të bëjë Renault në fund të këtij viti. Nuk e dimë nëse ajo të jetë në kampionat me makinën e saj dhe nëse do të vazhdojë të furnizojë me motorë Toro Rosson e Red Bull. Sa na përket neve, nuk kemi nisur bisedime me Red Bull, por një mundësi e tillë ekziston”, është shprehur Wolff.

Zërat për bisedime mes Red Bull dhe Aston Martin u shtuan, pasi gjatë Çmimit të madh në Silverstone, në ambientet e Formula 1 u shfaq bosi i kompanisë britanike të prodhimit të makinave, Andy Palmer.

Top Channel