Pezullimi i Neymar, Dunga kundërshton apelimin

06/07/2015 00:00

Ndëshkimi i Neymar në ndeshjen mes Brazilit dhe Kolumbisë në Kupën e Amerikës vazhdon të diskutohet. Sulmuesi i skuadrës 5 herë kampione e botës u pezullua me 4 ndeshje për gjeste anti-sportive në përfundim të sfidës ndaj Kolumbisë, por Federata Braziliane vendosi të mos apelojë.

Mësohet se pas këtij vendimi qëndron trajneri Karlos Dunga, i cili kërkoi që të mos bëhej apelimi ndaj futbollistit 23-vjeçar. Këtë kërkesë e konfirmoi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Braziliane të Futbollit, Valter Feldman. “Ka momente të vështira, ku duhet të marrësh një vendim. Dhe vetëm koha do ta tregojë nëse ishte i duhuri”, tha Feldman. Sipas tij, stafi teknik i skuadrës nuk kishte kërkuar të apelonin për dënimin ndaj Nejmar, “pasi sipas tyre ishte më mirë që ai të largohej”.

Brazili u eliminua në çerekfinale të Kupës së Amerikës ndaj Paraguajit dhe Neymar ka kryer vetëm gjysmën e dënimit të tij. Pjesën tjetër duhet ta kryejë në eliminatoret e Botërorit 2018, por Federata Braziliane do të kërkojë që kjo të ndodhë në edicionin tjetër të Kupës së Amerikës. Ndërkohë, Feldman shpjegoi edhe arsyet se përse Federata e konfirmoi Karlos Dungën në pankinën e Selecaos: “Na vjen keq që u eliminuam në Kupën e Amerikës, por kjo nuk ishte arsye e mjaftueshme për të shkarkuar Dungën. Nuk duhet të bazojmë punën tonë vetëm te rezultatet. Strategjia jonë e re është të bazohemi në një plan afatgjatë”.

Top Channel