Greqi, “JO”-ja fiton në referendum. Merkel dhe Hollande thërrasin Samitin e Eurozonës

05/07/2015 00:00

Pavarësisht paralajmërimeve se një kundërshtim i masave të kërkuar nga huadhënësit në këmbim të ndihmës ekonomike mund te sjellë pasoja të rënda për të ardhmen e Greqisë në zonën e euros, grekët kanë votuar në referendumin e së dielës  alternativën “JO”, me shumicë të konsiderueshme që shkon deri në 61%, ndërsa kahu kundërshtar ka përqendruar deri ne 39% të votave.

Ndërkohë kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras reagoi menjëherë pasi mësoi se si grekët kishin votuar në referendum. “Demokracia mposhti frikën”, tha ai.

Procesi i votimit ka qenë i qetë dhe me një pjesëmarrje rreth 65%, përtej kufirit prej 40% që e bën referendumin të vlefshëm.

Karakteristikë e kësaj jave që në dukje duket se ka ndarë grekët në dysh për vendimin e tyre ndaj masave të kreditorëve, ishte qetësia dhe situata nuk ka qenë aspak e polarizuar.

Me interes tashmë pritet dita e nesërme për të gjithë grekët, që gjithsesi në shumicën e tyre dëshirojnë qëndrimin në Eurozone.

Kryeministri Alexis Tsipras ka deklaruar se pavarësisht rezultatit do të fillojë menjëherë negociatat e reja me kreditorët. Sipas burimeve qeveritare, ai tashme ka në dorë dy armë të fuqishme, vullnetin e lirë të një populli që kërkon të jetojë i barabartë mes të barabartëve në Europë, si dhe raportin e fundit të FMN-së që kërkon nga BE-ja reduktim të borxhit grek, pasi ai është i paqëndrueshëm.

Çdo gjë tashmë varet nga qëndrimi i liderëve të BE-së, të cilët pas rezultatit te referendumit duket se kane ndryshuar qëndrim.  Merkel dhe Hollande takohen të hënën për të biseduar për çështjen greke. Ndërsa të martën, dy liderët kanë bërë thirrje për mbledhjen e samitit të Eurozonës. Presidenti francez si dhe kryeministri italian kishin deklaruar orët e fundit se pavarësisht rezultatit, vendi i Greqisë është në eurozonë.

Ndërkohë, socialdemokratët gjermanë kanë kërkuar nga kancelarja Merkel që çështja greke të mos i lihet axhendës së Eurogrupit që fillon nesër punimet, por një samiti të lartë të BE-së.

Edhe presidenti i parlamentit europian, Martin Schulz ka ndryshuar qëndrim duke thënë se BE-ja nuk do ta braktisë Greqinë.

Ndërkohë në Athinë si pasojë e rezultatit të referendumit ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakoyannis ka kërkuar hapur dorëheqjen e ish-kryeministrit dhe kreut te konservatorëve, Antonis Samaras.

Top Channel