Grekët kundër të gjithëve. Varufakis: Pas 5 vite dështimesh, populli ka shansin për të vendosur

05/07/2015 00:00

Çmenduri,heroizëm apo e drejta e një populli për të vendosur vetë për fatin e tij?

Cilësimet për referendumin grek ishin nga më të ndryshmet, por i parë nga çdo këndvështrim ky vendim i qeverisë Tsipras është më se i ligjshëm dhe më se demokratik.

Pas rreth katër dekadash zhgënjimi nga një kastë politike e konservatorëve dhe socialistëve, të cilët me një sistem klientelist pushteti, kanë dështuar në çdo politikë ekonomike për të bërë vendin një shtet europian të zhvilluar dhe u kanë shërbyer vetëm disa qarqeve të caktuara të një oligarkie të ngushtë të përbërë nga biznesmenë e politikanë, tendenca për të votuar një parti tjetër, pavarësisht se ishte pa eksperiencë dhe me rryma të ndryshme ideologjike radikale të majta, ishte më se e natyrshme.

Aq më tepër kur pas disa vitesh recensioni të vazhdueshëm, nën recetat vdekjeprurëse të imponuara nga FMN-ja dhe BE-ja, Greqia jo vetëm nuk u rimëkëmb, por vazhdoi rrugën drejt shkatërrimit.

“Dështimet e medha te Eurogrupit na cuan ne ultimatume për të cilat populli grek nuk vendoste. Sot, pas pesë viteve dështimesh, populli grek ka një shans për të vendosur mbi ultimatumin e fundit nga Eurogrupi, institucionet dhe partnerët”, është shprehur Varoufakis.

Pesë muaj pas ardhjes në fuqi, Tsipras dhe Radikalët e Majtë që ai udhëheq panë se premtimet e tyre të bujshme elektorale u përballën si asnjëherë tjetër me një Europë kokëfortë, që kërkonte vazhdimësinë e recetave të saj me masa shtrënguese në këmbim të ndihmës.

Tsipras është përpjekur të ruajë të ardhurat dhe pensionet pothuajse të përgjysmuara tashë të shtresave popullore, por nuk ka mundur pasi BQE-ja ka mbyllur ‘rubinetin’ e parave, ndaj e vetmja rrugëdalje për të ka qenë referendumi popullor.

“Janë të shumtë ata që mund të injorojnë vullnetin e një qeverie, por askush nuk mund të injorojë vullnetin e një populli për të jetuar me vendosmëri dhe të marrë fatin në duart e tij”, tha Tsipras.

Radikalët kanë akuzuar muajt dhe javët e fundit shumë media të huaja dhe vendase që u janë kundërvënë si asnjëherë tjetër dhe fjala propagandë terrori këto ditë ka qenë më e lakuara. Kjo pasi vetëm disa orë para referendumit ato kanë “zbuluar” se në rast se grekët kundërshtonin masat, do t’u taksoheshin gati përgjysmë depozitat, ndërsa publikonin orë e minutë deklaratat paralajmëruese të liderëve të BE-së që kundërshtonin kryeministrin Tsipras duke shkelur në këtë mënyrë çdo kufi të diplomacisë.

Janë të shumtë ata që e shohin “betejen” e Greqisë së vogël dhe të shkatërruar ekonomikisht përballë të fuqishmeve të Europës si një betejë e “Davidit me Golian”, apo e 300 spartanëve me persët. Të tjerë u hedhin fajin se po rrezikojnë të ardhmen e tyre dhe njëkohësisht të popujve të tjerë europianë, që mund të ndikohen nga pasojat financiare në Eurozonë.

Pavarësisht se vendimi i referendumit mund të jetë i drejtë apo i gabuar, në fund të fundit grekët duhet të përcaktojnë vetë fatin e tyre dhe jo liderët e BE-së, përndryshe çfarë kuptimi ka demokracia, aq më tepër në vendin ku ajo ka lindur.

Top Channel