Etapa e dytë e Turit të Francës, fiton gjermani Grajpel

05/07/2015 00:00

Andre Grajpel është fituesi i etapës së dytë të Turit të Francës Utreht-Zelande e gjatë 166 km. Çiklisti gjerman arriti të fitojë duelin në sprintin final ndaj Peter Sagan dhe Fabian Kancelara.

Rreshjet e shumta të shiut, era dhe disa rrëzime të çiklistëve bënë qe dinamika e garës të ndryshonte shpesh me çiklistët pretendentë që u ndanë në disa grupe. Të parët që hasën në vështirësi ishin emra të tillë si Hoakim Rodrigez, Nairo Kintana, apo Alehandro Valverde.  

Më pas u takoi Vincenzo Nibalit dhe Tibo  Pino që të përballeshin me problemet e tyre, ndërkohë që shumë më mirë shkuan gjërat për Kris Frum dhe Alberto Kontador që ishin pjesë e grupit të parë të shkëputur prej 25 çiklistësh.

Në fund, skuadra Etiks rriti ritmin për të ndihmuar Mark Cavendish në sprintin final, por ky i fundit u kalua nga Grajpel, Sagan dhe Kancelara që kaluan vijën e finishit sipas kësaj renditje.

Përsa i përket fanellës së verdhë të Turit të Francës, ajo i shkoi zviceranit Kancelara i cili mori kryesimin në renditjen e përgjithshme i ndjekur nga Toni Martin në vendin e dytë me 3 sekonda më shumë, ndërsa në të tretin është holandezi Tom Dumolin me 6 sekonda më shumë.  

Etapa e tretë e Turit të Francës është e gjatë 159.5 km dhe do të nisë në Antverp të Belgjikës për të përfunduar në qytetin Hoei.

Top Channel