Greqi, mbyllet votimi për referendumin. Dalin ‘Exit-poll’-et e para

05/07/2015 00:00

Në orën 19:00 janë mbyllur kutitë e votimit në Greqi në një referendum me rëndësi historike për të ardhmen e vendit ku qytetarët duhet të aprovonin apo jo, masat e kërkuar nga huadhënësit në këmbim të ndihmës ekonomike.

Sipas disa rezultateve paraprake jozyrtare të publikuara nga disa media greke, duket se vota “jo” mbizotëron me një diferencë që mund të quhet e mjaftueshme për vlerësim, por çdo gjë do të bëhet e qartë pas disa oresh kur të kenë mbërritur në zyrat qendrore të Komisionit Zgjedhor të paktën 10% e votave nga gjithë qendrat e vendit.

Sipas mediave greke, 52% e pjesëmarrësve në referendum kanë dhënë përgjigje negative. Pjesa tjetër, rreth 48%, janë shprehur me “Po” për marrëveshjen e propozuar nga KE, BQE dhe FMN.

Sipas Exit-Poll-it të Mega TV 48.5% kanë thënë “Po”, ndërsa 51.5% “Jo”. Ndërkohë, në sipas Exit-Poll-it të Alpha TV për “Jo” janë shprehur 49.5%-54.5%, ndërsa për “Po” 45.5%-50.5%.

Procesi i votimit ka qenë i qetë dhe me një pjesëmarrje rreth 65%, përtej kufirit prej 40% që e bën referendumin të vlefshëm.

Karakteristikë e kësaj jave që në dukje duket se ka ndarë grekët në dysh për vendimin e tyre ndaj masave të kreditorëve, ishte qetësia dhe situata nuk ka qenë aspak e polarizuar.

Grekët duket se nuk janë trembur nga frika dhe paralajmërimet se nëse nuk do të pranonin masat, kjo do të ishte një votë kundër Eurozonës.

Përkundrazi deri në orët e fundit, mbi 80% e tyre janë shprehur se duan qëndrimin në Euro.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar se pavarësisht rezulatatit do të fillojë menjëherë nesër negociatat e reja me kreditorët. Në rast se alternativa “Jo” mbizotëron edhe zyrtarisht pas numërimit të votave, ai thotë se do të ketë një armë të fuqishme në dorë, vullnetin e lirë të një populli që të jetojë i barabartë mes të barabartëve në Europë.

Gjithsesi, përsëri çdo gjë do të varet nga qëndrimi i liderëve të BE-së të cilët orët e fundit pavarësisht se nuk kanë qenë dakord me referendumin e zhvilluar, janë shprehur se vendi i Greqisë është në Eurozonë.

Top Channel