F1, Lewis Hamilton dominon në Silverstone. Alonso merr pikën e parë me McLaren

05/07/2015 00:00

Lewis Hamilton triumfoi në Çmimin e Madh të Britanisë, në një garë ku nuk munguan surprizat, duelet e forta, aksidentet dhe në fund reshjet e shiut. Gjithsesi 30-vjeçari doli i pari në pistën e Silverstone duke shpërblyer pritshmëritë e tifozëve të tij.

Britaniku, i cili mori kryesimin në xhiron e 22 regjistroi fitoren e 4 sezonale dhe te 38-n në karrierën e tij si pilot në Formula 1. Në vendin e dytë u ngjit Nico Rosberg, i cili vazhdon të ndjekë hap pas hapi rivalin e tij kryesor. Tashmë diferenca mes tij dhe Hamilton në klasifikimin për pilotë është vetëm 17 pikë.

Në pod u ngjit edhe gjermani Sebastian Vettel, i cili falë strategjisë së Ferrarit dhe sigurisht eksperiencës së tij zuri vendin e tretë në një garë që ndoshta mund ta mbyllte shumë vende më poshtë. Piloti gjerman u tregua shumë i aftë në kohën e ndërrimit të gomave për të lënë pas vetes dy makinat Williams, të cilat edhe pse e nisën mirë garën nuk arritën të ngjiteshin asnjëra në pod.

Ndryshe ndodhi me Kimi Raikkonen, i cili zuri vendin e 8, pasi u ndëshkua nga strategjia e gabuar që përdori për ndërrimin e gomave. Kjo ecuri e finlandezit vë në pikëpyetje të ardhmen e tij në skuadrën e Ferrarit. Gara në Silverstone do të mbahet mend edhe për faktin se Fernando Alonso mori pikën e parë gjatë këtij sezoni me makinën McLaren.

FOTO GALERI
1/5
Tifozët e vendasit Lewis Hamilton

Top Channel