Turistët çekë ranë në pritë; njëri prej autorëve udhëtonte me ta

04/07/2015 00:00

Çifti i turistëve çekë, Mikel Svatos, 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36 vjeçe, ka shumë mundësi të kenë bërë udhëtimin e  tyre të fundit së bashku me njërin nga vrasësit.

Këto janë dyshimet paraprake të grupit të hetimit, i cili deklaron se ka gjetur mjaft  gjurmë gishtash në makinën me targa “4P89798”, që i përkiste çiftit të vrarë çek. Policia pohon se përveç gëzhojave të qitjeve, në këtë makinë është gjetur edhe një armë.

Nga hetimet e zhvilluara gjatë natës dhe mëngjesin e së shtunës,  policia dyshon se autorë të vrasjeve dyshohet të jenë katër të rinj, të moshës 18-35 vjeç, banorë të zonës së Dukagjinit.

Dinamika e gjithë veprimeve tregon se ndaj turistëve ishte përgatitur një kurth i mirëmenduar për grabitjen e tyre dhe me ta në makinë ishte edhe një nga autorët e krimit.

Sipas policisë, pak metra pasi kanë lënë fshatin Prekal, turistët u gjetën përballë një prite dhe një kurthi të ngritur nga personi që kishin me vete në makinë. Policia thotë se ata janë qëlluar me breshëri automatiku nga brenda dhe jashtë makinës dhe kanë mbetur të vdekur në vend.

Automjeti ka qëndruar në mes të rrugës, ndërkohë që kanë qenë banorët ata që thuhet se kanë njoftuar policinë. Aktualisht Forcat e Nderhyrjes së Shpejtë po kryejnë kontrolle dhe po krehin zonën.

Vetëm dy ditë para se të vriteshin, çifti nga Çekia kishte publikuar në  faqen e tyre në Facebook një album të titulluar “Përshendetje nga Ballkani”, me fotot më të bukura nga udhtimi i tyre turistik në malësitë e Shkodrës dhe plazhin e Rrjollit. Më pas ata kanë udhëtuar drejt zonës së Vermoshit dhe pastaj në Dukagjin, që për fat të keq ishte dhe udhëtimi i tyre i fundit.

Çifti i turistëve çekë, që u vranë të premten në mbrëmje, nuk janë të vetmit që kanë pasur Dukagjinin si udhëtimin e fundit. Në vitin 2001 tre turistë çekë u vranë dhe u zhduken në fshatin Theth dhe ende sot nuk dihet se ku janë trupat e tyre, ndërsa në gusht të një viti më parë një turiste çeke, Martina Mala, u  plagos rëndë me armë zjarri në një lokal nate në plazhin e Velipojës. Në muajin qershor të vitit 2014 një tjetër turist çek u aksidentua peë vdekje, ndërsa një 26 vjeçar në muajin maj të këtij viti humbi jetën në lumë në zonën e Dukagjnit, aksidentalisht duke bërë rafting.

Top Channel