Carlos Bacca: Do e çoj Milanin atje ku e meriton

03/07/2015 00:00

Aventura e tij e re me Milanin ende nuk ka nisur zyrtarisht, por kolumbiani Carlos Bacca i ka idetë e qarta për atë që e pret te kuqezinjtë.

“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e një klubi të madh si Milani. Edhe pse gjërat nuk kanë shkuar mirë gjatë viteve të fundit, Milani mbetet një prej klubeve më të mëdha në botë dhe unë po pres me padurim të vesh fanellën kuqezi”, u shpreh Bacca, i cili shtoi se kontaktet mes tij dhe Adriano Galliani-t kishin nisur rreth 2 muaj më parë.

Sulmuesi tha se besimi i dhënë nga Galliani e ka bindur atë të pranojë të transferohet në Milano.

“Synimi im tashmë është ta çoj Milanin atje ku ai e meriton të jetë dhe kjo më jep shumë motivim”, shprehet 28-vjeçari, i cili ka folur për të parën herë si lojtar i Milanit.

Carlos Bacca ka thënë se do të mbërrijë në Milano më 20 korrik, ndërsa do të mbajë në bluzë numrin 70.

Një ditë më parë, administratori i deleguar kuqezi përfundoi me sukses blerjen e sulmuesit brazilian, Luiz Adriano, nga Shakhtar Donetsk. Zyrtarizimi ka ardhur brenda kësaj merkatoje verore dhe jo siç ishte diskutuar më parë për në janarin e vitit të ardhshëm. Për klubin ukrainas janë ofruar 8 milionë euro, ndërsa lojtari ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, deri në vitin 2020.

Top Channel