Kimi Raikkonen është piloti aktual më i preferuar i tifozëve të Formula 1. Ky është përfundimi i një sondazhi të organizuar nga Shoqata e Pilotëve për periudhën 22 maj-8 qershor.
Në këtë sondazh u pyetën 217 756 persona nga 194 vende të botës, ku ai që kishte mbështetjen më të madhe ishte pikërisht finlandezi i Ferrarit. Në vendin e dytë dhe të tretë për nga preferencat renditen dy pilotët e McLaren, Fernando Alonso dhe Jenson Button.
Përsa u përket atyre që kanë bërë histori, në vendin e parë në këtë sondazh qëndron Ayrton Senna, i ndjekur nga Michael Schumacher dhe Alain Prost. Për skuadra, sondazhi tregon se skuadra e Ferrarit është ajo që ka më shumë tifozë, duke lënë pas McLaren dhe Williams.
Por, sondazhi i Shoqatës së Pilotëve trajtoi edhe tema të tjera, siç ishte ai i spektaklit të Botërorit të Formula 1. Pjesa më e madhe e të anketuarve deklaruan se gjërat duhet të përmirësohen dhe se Botërori duhet të jetë më kompetitiv.
Një tjetër përfundim i sondazhit është se 77% e të intervistuarve mendojnë që po u jepet shumë rëndësi interesave ekonomike, ndërkohë që termat më të përdorura për të përshkruar Botërorin e Formula 1 janë “e shtrenjtë” apo dhe “teknologjike”.
Top Channel