“Zgjidhet” PSG, kërkohen Di Maria dhe Higuain

02/07/2015 00:00

Paris Saint Germain nuk është më i detyruar të respektojë limitet në humbjet e bilancit financiar dhe kjo ia lehtëson shumë gjërat. Sipas asaj që publikohet tek “Le Parisien”, drejtuesit e kampionëve të Francës kanë përcaktuar një fond prej 100 milionë eurosh për të sjellë në skuadër futbollistë të një niveli të lartë.

Objektivi i parë i parizienëve është Angel di Maria, të cilin ata e kërkuan edhe në merkaton e verës së kaluar. Por në atë kohë, rregulli i “Fair Play Financiar” bëri që skuadra transalpine të frenohej në ambiciet e saj. Me skenarin e ri, gjërat do të ndryshojnë dhe tani pritet një tjetër ofensivë e PSG për futbollistin argjentinas të Manchester United.

Një tjetër objektiv i vendosur së fundmi nga kampionët e Francës në merkato është edhe Gonzalo Higuain. Gjithnjë sipas ‘Le Parisien’, trajneri Blanc është vënë në kërkim të një sulmuesi që të jetë në gjendje të zëvendësojë Ibrahimoviçin, i cili ka të ngjarë të largohet nga kryeqyteti francez që këtë verë.

Dhe Higuain konsiderohet si personi i duhur. Për Higuain, PSG është gati t’i ofrojë Napolit 40 milionë euro, shifër kjo shumë e ulët në krahasim me klauzolën për zgjidhjen e kontratës së futbollistit që kap vlerën 94 milionë euro.

Emra të tjerë që janë vënë në shënjestrën e klubit parizien janë edhe Lacazette dhe Pedro, dy futbollistë që do të plotësonin më së miri repartin e avancuar të tij.

Top Channel