Superkupa e Europës në Shkup, Gjorgjiovski: Historike për futbollin e Maqedonisë

01/07/2015 00:00

Në stadiumin “Filipi i II”-të në Shkup është prezantuar trofeu që do t’i ndahet fituesit të Superkupës së Europës në vitin 2017. Komiteti i Ekzekutiv i UEFA-s, një ditë më parë vendosi që ndeshja për Superkupën e Europës pas dy viteve të zhvillohet në Maqedoni.

“Dita e djeshme ishte historike për futbollin e Maqedonisë. Në bashkëpunim me të gjitha institucionet në vend, arritëm të sigurojmë një ngjarje që është më e madhja në historinë e Maqedonisë së pavarur. Kjo ngjarje do të shërbejë për të promovuar vendin tonë, por do të sjellë edhe të mira të tjera për ekonominë dhe për futbollin tonë”, tha Gjorgjiovski, presidenti i Federatës maqedonase të Futbollit.

Federata e Futbollit në Maqedoni do të ketë në dispozicion dy vjet për t’u përgatitur dhe për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen për organizimin e kësaj ndeshjeje. Qeveria e Shkupit, ka paralajmëruar se do të japë mbështetje maksimale që të evitohet të gjitha vërejtjet e UEFA-së që kanë të bëjnë me kushtet në stadiumin “Filipi i II”-të.

“Jemi të vetëdijshëm se në periudhën në vijim, UEFA do të bëjë kontrolle të tjera në stadium, por ne përmes formimit të një trupi koordinues do të mundohemi t’i tejkalojmë vërejtjet e UEFA-së. Jam i bindur se stadiumi “Filip i II”-të do të marrë shkëlqimin e duhur për të organizuar mënyrë të denjë këtë ndeshje, por edhe ngjarje të tjera me karakter të ngjashëm”, shtoi Gjorgjiovski.

Autoritetet maqedonase të futbollit preferojnë që përballja për Superkupën e vitit 2017 të zhvillohet midis ndonjë skuadre gjermane dhe angleze, për shkak të tifozërive që kanë klubet në këto vende.

Çmimin e biletave për ndeshjen ende nuk e dinë as drejtuesit e federatës. Stadium “Filipi II” ka një kapacitet prej 33 mijë spektatorësh. Kjo është hera e parë që në vendet e rajonit zhvillohet një ndeshje e këtij niveli.

Top Channel