F1, Ricciardo: Nuk e përjashtoj largimin nga Red Bull

30/06/2015 00:00

Ashtu sikurse edhe skuderia e tij, Red Bull, e cila vazhdon të shqyrtojë dhe analizojë qëndrimin e saj në Formula 1 pas këtij fillimsezoni të vështirë, edhe piloti australian Daniel Ricciardo shprehet e bindur se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e të larguarit në fund të sezonit.

Pas 3 fitoreve në sezonin e vitit 2014, Ricciardo – tashmë i shtati në klasifikim pa asnjë podium të siguruar – ka thënë se ndihet tepër i kënaqur dhe i vlerësuar nga skuderitë rivalë, ku përfshihet edhe Ferrari, por këmbëngul se objektivi parësor është qëndrimi te Red Bulli, edhe pse nuk e përjashton lamtumirën e mundshme.

“Në parim, ajo që kërkoj është të fitoj sa më shumë – ka thënë Ricciardo, – dhe e pranoj se jam zhgënjyer së tepërmi këtë vit sa i përket këtij objektivi. Nuk jemi ende në gjendje për të arritur fitoren, por si pilot është e vetmja gjë që dëshiroj”.

“Në këtë moment të karrierës sime – vijon më tej australiani, i cili sezonin e kaluar rezultoi edhe më i mirë sesa Vettel, – mosha ime e re dhe afirmimi në këtë sport më bën të ndiej se kam një potencial tepër të madh, të pashfrytëzuar. Kontratat? Është shumë e thjeshtë të thuash ‘Po, do të shkoj te Ferrari, mjaft më’. Por, ka disa gjëra që duan kohë dhe nga ajo që kuptoj unë në lidhje me kontratat, besoj se nuk është edhe aq e mundur që unë të largohem. Në të njëjtën kohë, kam kuptuar se Red Bull mund të bëjë ndryshime për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të rikthehet të luftojë për vendet e kreut. Kemi ende përbërësit e duhur për ta arritur këtë gjë, ndaj dhe e konsideroj si vlerësim që më bëhet, por të shohim se çfarë mund të ndodhë”.

I pyetur drejtpërdrejt dhe pa doreza për mundësitë reale për t’u larguar nga Red Bull, Ricciardo është shprehur se nuk përjashton asgjë.

“Do të jetë e vështirë, por gjithçka mund të ndodhë. Jam në Formula 1 prej një kohe jo shumë të gjatë, por kam parë që gjërat mund të ndryshojnë edhe pa pritur e pa kujtuar. E shoh të pamundur largimin, me kontratën aktuale, por nuk i dihet”.

Top Channel