F1, Silverstone; Rosberg do të hidhet në sulm edhe në “shtëpinë” e Hamilton

30/06/2015 00:00

Përpara Çmimit të Madh të Britanisë, që konsiderohet edhe si gara e “shtëpisë” për kampionin në fuqi dhe kryesuesin aktual të Formula 1, Lewis Hamilton, kolegu-rival i tij Rosberg shfaqet tepër i karikuar dhe plot besim.

Teksa vjen nga 3 suksese në 4 garat e fundit dhe kur ka një diferencë prej vetëm 10 pikësh ndaj britanikut, piloti gjerman i Mercedesit do të kërkojë të bëjë edhe më mirë nga gara e pafat e vitit të kaluar në pistën e Silverstone. Vitin e kaluar, Nico Rosberg ishte në krye të garës, por u detyrua të tërhiqej për shkak të problemeve me kambion.

“Java në Austri nuk mund të shkonte ndryshe, veçse të përmbyllej me sukses – thotë Nico, – me përjashtim të gabimit që bëra në provat për ‘pole position’. Kam qenë gjithnjë i gatshëm dhe në formë dhe ishte një rezultat fantastik që triumfova. Pas testimeve të së mërkurës, për të ndihmuar skuderinë të përgatitet për Silverstonin, tashmë ndihem edhe më i gatshëm për t’u hedhur në sulm në një pistë që më pëlqen shumë. Është një garë që i përshtatet mirë makinave tona dhe me gjërat që kemi mësuar në testime jam i sigurt se do të dalim edhe më të fortë”.

Top Channel