Pas 11 viteve… Petr Cech largohet nga Çelsi

29/06/2015 00:00

Petr Cech nuk është më një lojtar i Çelsit, pas 11 viteve me blutë e Londrës. Portieri çek ka vendosur të largohet nga ekipi i drejtuar nga Mourinho.

Ai kreu vizitat mjekësore të premten, ndërsa nënshkroi kontratën të hënën pasdite, nga e cila do të përfitojë gati 140 mijë euro në javë, duke u bërë ndër lojtarët më të paguar në ekip së bashku me Mesut Ozil dhe Alexis Sanchez, ndërsa Arsenali do të paguajë për të rreth 15 milionë euro.  

Portugezi Mourinho këmbënguli që Petr Cech të qëndronte si rezervë e Thibaut Courtois, por Roman Abramovich respektoi dëshirën e portierit dhe e lejoi atë të largohej.

Largimi i tij tashmë lind nevojën për një tjetër numër 2 te Çelsi që kanë shënjestruar menjëherë portierin e Stoke, Asmir Begovic si njeriun e duhur për të zëvendësuar veteranin çek.

Ndërkohë që në krahun tjetër edhe Arsene Wenger duhet të largojë një portier, ku shanset më të mëdha i ka Szczesny që kërkohet nga Fenerbahçe, ndërsa paraqitja e mirë në fazën e dytë e David Ospina duket se e ka bindur trajnerin francez të vazhdojë të besojë tek ai.

Top Channel