Laporta: Pogba te Barcelona? Vendos Raiola

29/06/2015 00:00

Kandidati për president të Barcelonës, Joan Laporta ka folur mbi transferimin e mundshëm të Pogba-s te katalanasit, ku është zotuar se mund të arrijë transferimin e mesfushorit francez.

“Ne besojmë se çelësi i transferimit të Pogba është Mino Raiola, me të cilin kemi marrëdhënie të mira, ndërsa për transferimin mund të na ndihmojë edhe Abidal”, thotë Laporta, i cili nuk përmend Braida-n që është duke drejtuar negociatat me Marotta-n.

Ish-presidenti i Barcelonës, aktualisht kandidat për të marrë sërish këtë post ka shtuar se ende nuk ka asnjë kontakt me Juventusin, por shprehet i bindur se mund ta arrijë këtë transferim, aq të dëshiruar për Barcelonën, e cila deri në verën e 2016-ës e ka të ndaluar të kryejë merkato.

Zgjedhjet për presidentin e ri të Barcelona do të mbahen në 18 korrikun e ardhshëm, por fushata e kandidatëve që kërkojnë postin më të lartë vijon të jetë në rritje, duke shpalosur programet dhe premtimet e tyre.

Në Spanjë, në zgjedhjet presidenciale të dy klubeve më të mëdhenj si Real dhe Barça, kandidatët fitues kanë arritur gjithmonë t’i mbajnë premtimet e tyre dhe ajo që shihet qartë është se Laporta e ka marrë seriozisht çështjen Pogba, që do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm për Barcelonën.

Top Channel