Gega fitoi në garën e 1500 m, por s’ka asnjë medalje për Shqipërinë në Baku

23/06/2015 00:00

Medaljet në atletikë janë vetëm ekipore, ndaj vendi i parë i atletes shqiptare, Luiza Gega në garën e 1500 metrave, nuk përkthehet në medalje të artë për Shqipërinë.

Në faqen zyrtare të lojërave “Baku 2015”, Shqipëria jo vetëm që figuron pa asnjë medalje, por as që është afër zonës së vendeve që pretendojnë për një të tillë.

Gega dominoi me kohën 4:11.58 minuta, duke mos patur rivalë në garë, megjithatë rezultati i saj nuk e ngjit Shqipërinë në pod, pasi vendi ynë si ekip në atletikë, as që i afrohet zonës së medaljeve.

Për këtë nuk ka ndihmuar as vendi i dytë i Izmir Smajlajt në kërcim së gjati. Rezultati i tij dhe i Gegës mbeten thjeshtë arritje shumë të mira në nivelin personal personal, që nuk mjaftojnë për t’i dhënë medalje Shqipërisë.

Në sportin e Atletikës medalja e artë shkoi për Sllovakinë, e cila la pas Austrinë për pak pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit Izraeli.

Çudia është se as në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk sqarohen modalitetet në lidhje me shpërndarjen e medaljave në Atletikë në Lojërat Europiane të Baku-t, përkundrazi rezultati i Luiza Gegës ofrohet si medalje e artë për Shqipërinë.

Në këtë rast, 26-vjeçarja është penalizuar nga formati disi i çuditshëm i këtij turneu, ndërsa euforia se Shqipëria ka arritur të marrë medalje të rëndësishme në një event kaq të madh, shndërrohet në zhgënjim, në këtë rast për mungesën e informacionit të saktë nga institucionet drejtuese të sportit në vendin tonë.

Top Channel