Hidhet shorti i Kategorisë Superiore. Kampionati nis më 22 gusht

19/06/2015 00:00

Është hedhur këtë të premte në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit shorti i kampionatit të 77 kombëtar për Kategorinë Superiore. Edhe në këtë sezon, kategoria më e lartë e futbollit shqiptar do të ketë 10 skuadra dhe katër faza.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, përpara hedhjes së shortit ka sqaruar se dy skuadrat që janë futur në këtë sezon në Kategorinë Superiore, Tërbuni i Pukës dhe Bylisi i Ballshit, ende nuk kanë marrë licencimin nga FSHF-ja për zhvillimin e ndeshjeve të kësaj kategorie për sezonin që do të fillojë.

Sipas tij, këto dy skuadra nuk kanë infrastrukturë dhe kanë probleme organizimi të ndeshjes. Nëse nuk do të plotësohen kushtet deri më 31 korrik, atëherë këto skuadra do të zëvendësohen me dy të tjera që plotësojnë kushtet nga Kategoria e Parë.

Më pas, është hedhur normalisht shorti me përcaktimin e një numri identifikues për secilën prej 10 ekipeve. Për momentin, nga FSHF-ja është përcaktuar vetëm data e fillimit të kampionatit që do të jetë 22 gushti. Datat e tjera do të përcaktohen nga Komiteti Ekzekutiv në ditët në vazhdim.

Top Channel