F1, Vettel: Për të fituar duhet të jemi perfektë… por edhe Mercedesi të gabojë

18/06/2015 00:00

Në Austri, Vettel pritet të tregojë vlerën reale të Ferrarit, pas modifikimeve të fundit të njësisë motorike, të cilat në Kanada gjermani nuk arriti t’i shfrytëzonte deri në fund të garës për shkak të nisjes nga fundi i renditjes.

“Do të synojmë gjithnjë të luftojmë për fitoren, kemi një makinë të fortë dhe një paketë shoqëruese teknike shumë të mirë. Nëse gjithçka shkon në drejtimin e duhur, mund të luftojmë për të qëndruar në vendet e para. Kjo garë është e bukur dhe me një publik të jashtëzakonshëm, por duhet të jemi realistë…”, shprehet 4 herë kampioni i botës.

Sa i përket rivalitetit me Mercedesin:

“Për të sfiduar Mercedesin duhet një fundjavë perfekte, duke shpresuar madje që ata të gabojnë, sepse në kushte normale është e vështirë t’i mposhtësh. Ka ende një diferencë të konsiderueshme, e cila mund të variojë nga gara në garë, por nuk është e lehtë të reduktohet. Mercedesi është i fortë dhe për më tepër, edhe ata punojnë për të mbajtur vendet e kreut. Objektivi ynë është të arrijmë më tepër progres sesa ata dhe t’u afrohemi edhe më shumë në pjesën e dytë të sezonit. Sforcot e bëra deri më tani kanë qenë të rëndësishme, por duhen edhe të tjera në vijim”, deklaron Sebastian Vettel.

Duke iu rikthyer garës së fundit në Kanada…

“Beteja në Kanada? Ishte më emocionuese sesa në garat e kaluara, sepse kur nisesh nga pas duhet të parakalosh makina më të ngadalta. Sigurisht që u impenjova më shumë se zakonisht, ndaj dhe besoj që gjithçka funksionoi mirë, sepse, pasi shmanga rreziqet në xhirot e para, pata një garë të mirë në fund”, tha piloti gjerman i Ferrarit.

Top Channel