FIFA, Blatter dhe Valcke “zbrazin llogaritë” për mbrojtjen. Marrin dy superavokatë

18/06/2015 00:00

Sepp Blatter dhe Jerome Valcke, respektivisht numri një në detyrë (i dorëhequr pak kohë më parë) dhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, do të mbrohen para organeve të drejtësisë amerikane duke marrë dy avokatë tepër të fuqishëm për të mbrojtur interesat e tyre, edhe pse deri më tani asnjëri prej tyre nuk është inkriminuar zyrtarisht.

Sigurisht që nuk do të mund të kursenin as më të voglin shpenzim për këtë gjë, sepse bëhet fjalë për dy prej avokatëve me famë botërore. Blatter ka siguruar mbrojtjen nga Richard Cullen, ish-prokuror i përgjithshëm në shtetin e Virxhinias, i cili, pavarësisht se tashmë është bërë partner i një firme lokale të famshme, ka ende raporte shumë të mira me drejtorin aktual të FBI-së, James Comey, agjencia e të cilit ka inkriminuar deri më tani 14 persona si pjesë e skandalit të korrupsionit të FIFA-s.

“Richard Cullen është një avokat me eksperiencë të madhe dhe tepër i respektuar. Është i njohur në aulat e gjykatave dhe në lobimet qeveritare. Blatter ia ka besuar atij mbrojtjen, sepse është shumë i zoti, por sa u përket krimeve për të cilat flitet në këtë hetim, edhe ato janë shumë serioze”, thotë eksperti ligjor i të përditshmes “Daily News”. Cullen ka mjaft njohje në nivel politik dhe vetëm pak kohë më parë kishte organizuar një shfaqje në Richmond së bashku me Jeb Bush, i cili pak ditë më parë shpalli edhe kandidaturën e tij për “Shtëpinë e Bardhë”. Ai mbron klientë të niveleve të larta, politikanë, por ka përfaqësuar edhe ish-gruan e Tiger Woods, Elin Nordegren.

Valcke, në krahun tjetër, ka marrë një avokat njujorkez, Barry Berke, i specializuar në krimet e korrupsionit dhe ato të lidhura me financat. Është aksioner i fuqishëm i studios ligjore “Kramer Levin Naftalis Frankel” në Manhattan, teksa së fundi ka mbrojtur Michael Steinberg, menaxher i një fondi mbrojtjeje, i dënuar vitin e kaluar me 3 vite e gjysmë burgim, për tregtime të paligjshme të brendshme. Në vitin 2011 zgjidhi çështjen e Raymond Craig Brubaker, një ish-komisioner i “Deutsche Bank”, i akuzuar si pjesëmarrës i një sistemi që ndihmonte evazionin fiskal.

Top Channel