Rusi, tifozëve dhe drejtuesve u ka humbur durimi me Capellon. Por, shkarkimi kushton 21,4 mln euro

16/06/2015 00:00

Aventura e Fabio Capellos në krye të pankinës së kombëtares së Rusisë mund të ketë mbërritur kulmin. Humbja në Moskë kundër Austrisë duket se ka bërë Federatën ruse dhe tifozët të humbasin durimin, ndërsa këta të fundit kërkonë me zë të lartë shkarkimin e tij.

E vetmja pengesë është fakti që një largim i mundshëm përpara fundit të kontratës do t’u kushtojë rusëve plot 21,4 milionë euro. Megjithatë, për këtë duket se kanë menduar disi edhe tifozët rusë, të cilët kanë ndërmarrë nismën e grumbullimit të disa prej këtyre parave përmes internetit, duke hapur një faqe “Fabiogohome” (Fabio shko në shtëpi).

“Besojmë se, të gjithë ata që duan të marrin nën kontroll fatet e futbollit rus nuk mund të qëndrojnë duarkryq përpara përfaqësimeve të fundit të kombëtares sonë – lexohet në komunikatën e tifozëve. – Ndaj, sondazhet tregojnë se shumica e tifozëve rusë duan largimin e Capellos, edhe pse për ta arritur këtë RFU (Federata ruse e Futbollit) duhet të paguajë një dëmshpërblim prej 21,4 mln eurosh”. Por a do t’i mbledhin gjithë këto parà?

Top Channel