F1, Alonso: Prioriteti i McLaren, të punojë për 2016-n

16/06/2015 00:00

Produktiviteti modest gjatë këtij sezoni i McLaren-Honda mund të detyrojë skuderinë nga Ëoking i Britanisë së Madhe të përqëndrojë punën e saj qysh nga ky moment për sezonin 2016. Një mundësi e mirë kjo edhe për Fernando Alonson, i cili e sugjeron të merret në konsideratë.

“Duke parë pozicionin aktual që kemi dhe paraqitjet e deritanishme, – është shprehur spanjolli për “Autosport”, – besoj se do të ishte një zgjedhje inteligjente për ne të mendonim për sezonin e ardhshëm. Nuk kam asnjë problem t’i nis të gjitha garat e mbetura nga bokset, nëse kjo do të vlejë për përmirësimin e njëvendëshes. Ky është prioriteti ynë momental, duhet të fokusohemi për vitin e ardhshëm dhe të shohim se çfarë mund të garantojë skuadra. Besoj se kemi bërë mjaftueshëm progres deri më tani, ndaj dhe pjesa e dytë e sezonit do të jetë një provë e vlefshme për ne. Gjithsesi mbetemi shumë optimistë”.

Ndërkohë, shoku i skuadrës Button beson se do të ishte një hap tepër i madh për McLaren-Honda, fakti i braktisjes së këtij sezoni, për të përqëndruar të gjitha burimet për vitin 2016.

“Nuk mund ta zerojmë këtë vit – thotë britaniku, – pasi nuk do të ketë modifikime rregullash. Duhet ta bëjmë këtë makinë sa më të shpejtë, në mënyrë që për vitin e ardhshëm të jetë më rezultative dhe të mund të luftojmë për vendet e kreut. Por, për të kryer të gjitha këto zhvillime duhet të shohësh se çfarë mund të bësh garë pas gare”.

Top Channel