Lauda, dakord me Raikkonen: Të rritet rreziku në Formulën 1

16/06/2015 00:00

Niki Lauda është dakord me Kimi Raikkonen: Formula 1 duhet të jetë më e rrezikshme. Presidenti i Nderit i Mercedesit mendon se në ditët e sotme ka shumë rregulla dhe kjo gjë nuk është e mirë për sportin.

“Nuk them që të lëmë pas dore sigurinë e pilotëve, por nëse makinat do të ishin më të shpejta, do të kishte më shumë emocion për pilotët dhe spektatorët”, tha 3 herë kampioni i botës për ‘Bild’.

Lauda, i cili ka qenë protagonist i një aksidenti shumë të rëndë në vitin 1976 në pistën e Nurburgrigut, shenjat e të cilit i ka ende të dukshme në fytyrë, thotë se pilotët e sotëm nuk janë burra, por të rinj që luajnë me butonët e timonit.

“Duhen pilotë me aftësi pilotimi dhe instinkte. Nuk duhet të kthehemi pas në kohë, por duhet që piloti të ketë në kontroll makinën. Tani vetëm shtypin butonë”, tha Lauda.

Top Channel