Zidane: Reali e dëshiron Pogbanë. Allegri: Lojtari të mendohet mirë

15/06/2015 00:00

Zinedin Zidane ka pranuar se Real Madrid është e interesuar që të transferojë mesfushorin francez të Juves, Paul Pogba. Duke kujtuar cilësitë që posedon 22-vjeçari, ish-numri 5 ka deklaruar se interesimi është shumë i natyrshëm, duke parë progresin e mesfushorit.

“Shumë skuadra janë të interesuara për të, gjithashtu edhe Real. Është shumë e natyrshme që një talent si ai të tërheq kaq shumë skuadra. Pogba është fantastik, është një lojtar i kompletuar që mund të shënojë edhe gola sepse i pëlqen të niset përpara”, është shprehur Zidane.

Ndërkohë, trajneri i “zonjës”, Maxi Allegri e ka pranuar se disa oferta janë shumë joshëse në aspektin financiar për Pogbanë. Sipas tij, ato vështirë do të mund të refuzohen, por ka thënë se vendimi nuk i takon stafit teknik.

“Kur vijnë oferta me shuma të mëdha e ke të vështirë t’u thuash jo, por nëse Pogba vendosë të qëndrojë atëherë duhet të jetë i përqendruar te Juve dhe të mos ketë asnjë pishman”, ka thënë Allegri.

Allegri gjithashtu ka folur edhe për sulmuesin Alvaro Morata. Ky i fundit flitet për një rikthim në skuadrën e Realit, duke shfrytëzuar edhe të drejtën e tyre që është përfshirë në marrëveshjen mes palëve. Megjithatë, tekniku italian shprehet se Morata kushton 80 milionë euro.

“Nëse Alvaro do të shitet, atëherë skuadra nuk pret më pak se 70 apo 80 milionë euro, që është edhe vlera aktuale e tij në treg”, deklaroi Allegri, që ka shtuar se “zonja” do të fokusohet vetëm te lojtarët e rinj, në mënyrë që të vazhdojë të ndërtojë skuadrën për vitet e ardhshme.

Top Channel