Barça-Neymar, kontratë 12 milionë euroshe në sezon. Klauzola e prishjes: 250 milionë

15/06/2015 00:00

Neymar është i impenjuar me Brazilin e tij në Kupën e Amerikës, një kompeticion që ka filluar më 11 qershor dhe që do të përfundojë më 4 korrik, por “qershia mbi tortë” duket se i ka ardhur pikërisht nga Katalunja, aty ku sapo përfundoi një sezon të jashtëzakonshëm me Barcelonën, fituese të “tripletës” Champions-La Liga-Kupa e Mbretit.

Presidenti katalanas, Josep Maria Bartomeu, i ka propozuar yllit brazilian të “blaugrana”-ve rinovimin e kontratës deri në vitin 2020, në bazë të së cilës do të fitojë 12 milionë euro neto në sezon.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja sportive spnajolle “Sport.es”, e cila kujton se akordi mes klubit dhe lojtarit ishte arritur që prej muajit mars. Neymar do të dyfishojë kontratën e tij aktuale, e cila edhe kështu siç ishte, konsiderohej tepër e pasur, duke u bërë kështu lojtari i dytë më i paguar te Barcelona, pas Leo Messit.

Firma pritet të hidhet pas përfundimit të Kupës së Amerikës dhe përpara nisjes së turneve verore për Barcelonën.

Një tjetër detaj i zbuluar nga mediat spanjolle është klauzola e prishjes së kontratës. Klubi katalanas nuk mund të heqë dorë nga shërbimet e lojëtarit brazilian pa ofruar më parë plot 250 milionë euro, një shifër identike me atë të “pleshtit” argjentinas.

Top Channel