Shkodër, vritet në atentatin e dytë me snajper Xhabir Shega

11/06/2015 00:00

Një person është ekzekutuar me snajper brenda banesës së tij në hyrje të qytetit të Shkodrës, pranë Kalasë së Rozafës, mbrëmjen e së enjtes.

Viktima është shtetasi Xhabir Shega, 51 vjeç dhe ngjarja, sipas policisë, dyshohet të ketë motive hakmarrjeje.

Viktima ndodhje në oborrin e shtëpisë kur është qëlluar me një plumb në gjoks me armë zjarri, snajper, nga një distancë e largët, mendohet nga muret e Kalasë së Rozafës.

Si pasojë e plagës së rëndë, 51-vjeçari ka ndërruar jetë pak minuta pasi ka mbërritur në spitalin e Shkodrës.

Ndaj shtetasit Xhabir Shega është organizuar dhe një atentat një vit më parë i po kësaj natyre, duke u qëlluar me snajper në afërsi të banesë, por që arriti t’i shpëtojë. Gjithashtu, edhe para disa muajsh, vëllai i viktimës u qëllua me breshëri plumbash duke mbetur i plagosur.

Sipas policisë, viktima ka precedentë penalë dhe dyshohet se ngjarja ka motive hakmarrjeje.

Për momentin ende nuk dihen autorët e këtij krimi, ndërkohë policia është duke zhvilluar disa aksione në kodrat pranë Kalasë së Rozafës, nga mendohet se kanë lëvizur autorët e ngjarjes.

Top Channel