Shqipëri-Francë, ja formacionet e mundshme

11/06/2015 00:00

Shqipëria dhe Franca do të luajnë sfidën miqësore të shtunën në “Elbasan Arena”. Deri më tani, të dy trajnerët janë treguar të kujdesshëm në lidhje me formacionet. Francezi Dechamps paralajmëroi ndryshime për ndeshjen me kuqezinjtë, pas humbjes ndaj Belgjikës në shtëpi.

Ndërkohë, De Biazi që nuk ka grumbulluar shumë prej emrave të njohur, do të  tentojë të befasojë “gjelat” me lojtarët që i ka në dispozicion. Trajneri italian gjatë ndeshjes së kontrollit ndaj të rinjve të Akademisë së Futbollit, ka dhënë disa shenja për skuadrën që do të zbresë nga minuta e parë në Elbasan.

Në portë nga minuta e parë ishte Etrit Berisha, ndërsa ne qendër të mbrojtjes përkrah kapitenit Cana, u rreshtua Ajeti. Në të djathtë Hysaj, ndërsa në krahun tjetër Aliji. Migjen Basha, Ergys Kaçe dhe Andi Lila para mbrojtjës, ndërsa Roshi dhe Lenjani në krahët e mesfushës. I vetëm në sulm, Sokol Cikalleshi.

Në këtë ndeshje kontrolli, që u luajt me tre pjesë nga 30 minuta, diferencat në cilësi lanë pak vend për analiza teknike, pasi edhe rezultati përfundimtar ishte 15:0. Megjithatë, është kuptuar se De Biasi do hedhë në fushë një formacion të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, me një mesfushë të dendur, por që kur i jepet rasti të sulmojë portën kundërshtare.

Edhe Didier Dechamps duket se ka në mendje formacionin e së shtunës. Francezët, që tashmë kanë arritur në Tiranë, pritet të luajnë me 4-4-2. Në stërvitjen e së mërkurës, Dechamps përfshiu në skuadër shumë prej titullarëve.

Në portë Lloris, ndërsa në qendër të mbrojtjes Varane dhe Sakho. Në të dy krahët e mbrojtjes do të rreshtohen Jallet dhe Evra. Në mesfushë, Payet, Pogba, Sissoko dhe Nabil Fekir. Ndërkohë në sulm këmbëshpejtët Griezman dhe Lacazette.

Top Channel